Shtëpia e Ahmed Çakos
SHTËPIA E AHMED ÇAKOS
Perandoria Osmane në kohën e sulltan Sulejmanit II, jo vetëm që arriti kulmin e zgjerimit të saj dhe një zhvillim të madh ekonomik, shoqëror dhe ushtarak, por pati një lulëzim edhe të arsimit, shkencës, artit dhe të kulturës. Në oborrin e tij, sulltani kishte mbledhur mjaft njerëz të ditur, të cilët me zgjuarsinë e tyre kishin bërë që shumë fusha të dijes e të kulturës të marrin hov. Madje edhe vetë sulltani ishte një poet dhe artist i përkushtuar. Në kohën e tij shënoi përparim dhe zhvillim të dukshëm sistemi arsimor osman, u zhvillua letërsia, arkitektura dhe artet e zbatuara e dekorative. Gjate kësaj periudhe, pothuajse në gjithë territorin e Maqedonisë u ndërtuan objekte monumentale dhe ndërtesa arkitektonike, xhami madhështore, medrese, biblioteka dhe objekte të tjera të ndryshme sakrale dhe profane.
Krahas objekteve fetare të njohura, në Gostivar gjenden edhe një numër i caktuar i shtëpive të vjetra tradicionale, të ndërtuara në mes shekujve XVIII-XIX, të cilët kanë vlerë të lartë reprezentative. Këto objekte na mundësojnë të kuptojmë shumë në lidhje me zhvillimin e funksionit dhe karakteristikat ndërtimore, arkitektonike dhe urbanistike, mënyrën e jetesës në atë kohë, njëkohësisht kanë vlerë të veçantë në zhvillimin e formësimit arkitektonik të qytetit dhe më gjerë.
Shtëpia e Ahmed Çakos në Gostivar, përfaqëson një shembull tipik të arkitekturës profane gjegjësisht shtëpisë myslimane (osmane). Sipas të dhënave të pronarit të shtëpisë si dhe kombinimi i elementeve funksionale dhe stilistike, mund të konstatohet se objekti është ndërtuar në mesin e shekullit XVIII. Edhe përkundër asaj që shtëpia është e vjetër, si dhe ndryshimet e pakta që janë bërë me kalimin e kohës, shtëpia ka ruajtur në përgjithësi strukturën, përmbajtjet etnologjike dhe elementet arkitektonike.
Shtëpia myslimane gjithmonë ka qenë e rrethuar me hapësirë të gjerë të oborrit, i mbrojtur me mure të larta, i pasur me ujë dhe gjelbërim, gjë të cilën e gjejmë edhe te shtëpia e Ahmed Çakos.
PËRSHKRIMI I OBJEKTIT
Objekti në të kaluarën ka qenë i ndarë në: haremllëk (shtëpi për gra) edhe pse është quajtur shtëpia e grave, në të kanë jetuar të gjithë anëtarët e familjes dhe selamllëk (shtëpi për burra), ka shërbyer për pritje mysafirësh, meshkuj. Sot selamllëku gjendet në anën e majtë të portës hyrëse, mirëpo nuk është në funksion.
Shtëpia në planimetri ka formë drejtkëndore, në katin e poshtëm e ndërtuar me mure masive me gurë, të lidhura me llaç prej balte dhe me breza druri për ti dhënë ndërtimit fleksibilitet në rast tërmeti dhe katin e fundit muret janë të ndërtuara me sistem bondruk, e paraqitur një strukturë me trarë, të mbushura me tulla nga qerpiçi dhe të suvatuar ndiqnin kulturën urbane osmane si në inxhinieri ashtu edhe në projektim.
Hyrja në përdhes arrihet përmes një çardaku të hapur, i cili është i pozicionuar në anën e djathtë të derës hyrëse, i njohur si qyshk, shërben për pushim dhe biseda dhe i ngritur 40 cm nga dyshemeja. Nga qyshku hyhet në hajat, i cili shërben si hapësirë komunikimi me përdhesen. Në organizimin e brendshëm, dominon skema simetrike. Në përdhes kah fasada ballore gjenden dy dhoma banimi. Pas dhomës së ndejës, në anën e djathtë të shtëpisë, me pamje kah oborri i pasmë gjendet kuzhina në anën e kundërt të së cilës gjendet sandëk dhoma. Në katin e sipërm arrijmë përmes shkallëve të brendshme, dy kahëshe, të cilat kanë hapësirë kalimi nga ana e djathtë dhe e majtë dhe janë të ndërtuara prej druri . Kati i dytë hapet me një hapësirë të gjerë dhe të mbyllur, aty gjejmë çardakun, i ngritur rreth 40 cm më lartë se dyshemeja, pjesë e cila është e mbyllur me tre mure të jashtme në të cilën janë të vendosura gjashtë dritare, katër në mes dhe nga një anësh, që bëjnë edhe ndriçimin e çardakut. Ky kat përmban gjithashtu edhe dy dhoma ndeje të cilat paraqiten me përmbajtje identike si ato të katit të parë. Dy dhomat të cilat janë të vendosura në pjesën veriore të shtëpisë në katin e dytë të ashtuquajtura sandëk dhoma, nuk janë dhoma për banim por shërbejnë për mbajtjen e gjërave të nevojshme, si dhe lëndëve tjera. Në aspektin e formësimit arkitektonik, enterieri i shtëpisë është më i pasur, ku mund të vërejmë elementet origjinale të trajtuara me një kujdes të veçantë.
Dhomat e banimit në të dy katet, paraqiten me një parahyrje të vogël, ku në të djathtë apo në të majtë të parahyrjes është e vendosur banjoja, ndryshe quajtur hamamxhik, në vazhdim të saj pothuajse me të njëjtën madhësi të hamamxhikut, është i vendosur qymlekllëku (koftori), i ndërtuar me qeramikë që shërben për ngrohjen e ujit dhe të dhomave. Në murin përballë dritareve në vazhdim të parahyrjes, janë të vendosura dyshekllëkët të cilët janë të thelluara në mur, dyert e të cilëve janë të punuara prej dërrasave me dy krahë ku ka hapësirë edhe për pasqyrë edhe për hojnallëk. Mbi dyshekllëkun gjenden musandrat. Tavanet janë të ndërtuara prej dërrasave, me një rozetë të dekoruar në mes. Dyert janë po ashtu nga druri të lyera me ngjyrë të kaltër. Në eksterier shtëpia e ka të trajtuar fasadën ballore, ku mund të theksojmë traun në formë harkore që gjendet mbi çardak.