Trashëgimia kulturore është një nga vlerat unike të një vendi, gjithashtu ajo është  një ndër elementet më të rëndësishme dhe pjesë përbërëse e mjedisi tonë jetësor. Përveç që shfaq vërtetësinë e identitetit të shoqërisë dhe vendit, trashëgimia kulturore  njëkohësisht konsiderohet potencial për zhvillime dhe integrime të qëndrueshme shoqërore ekonomike në vend. Trashëgimia kulturore përbën një nga pikat kryesore për zhvillimin e turizmit. Evidentimi i trashëgimisë kulturore, sikurse edhe ruajtja e saj, kërkon një angazhim të madh nga ana e institucioneve  shtetërore, shoqërisë civile dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Qyteti i Gostivarit në të kaluarën është karakterizuar me objekte që kanë pasur vlera të larta kulturore, historike, shoqërore mirëpo për fat të keq këto objekte sot nuk ekzistojnë Dështimi për ti mbrojtur këto objekte me vlerë të pallogaritshme për qytetin dhe komunitetin tonë,  ka ardhur edhe si rezultat i mungesës të një institucioni përkatës për kujdesin ndaj këtyre objekteve. Për këtë  u pa e arsyeshme që në Gostivar të  hapet një qendër e cila do të ketë obligim të ruajë, mirëmbajë, dhe të mbrojë trashëgiminë kulturore  të qytetit që është krijuar ndër shekuj dhe  është përcjellë brez pas brezi.

Për këtë arsye, me vendim të qeverisë së Republikës së Maqedonisë vendoset që në Gostivar të hapet një qendër për trashëgimin kulturore. Më 15 janar të vitit 2008 qeveria e Republikës së Maqedonisë mban  mbledhjen  në cilën miratohet vendimi  për hapjen e ,,Institucionit Nacional,, Qendra për Konservim. Juridikisht qendra themelohet më 15 janar të vitit 2008, kurse  hapja solemne  bëhet më 2  dhjetor të vitit 2010. Aktivitetet e para qendra i fillon në vitin 2011  fillimisht duke u përqendruar vetëm në territorin e Gostivarit.

Vizioni i Institucionit Nacional  ,, Qendra për Konservim” është që trashëgimia  kulturore të shihet dhe të promovohet si një vlerë që i bashkon të gjithë qytetarët. Gostivari për herë të parë në historinë e vet krijon një qendër të kësaj natyre.

Qëllimi kryesor i qendrës për konservim është ruajtja e trashëgimisë kulturore të patundshme në cilën përfshihen: qendra, zona të banuara ose të pabanuara me vlerë arkeologjike, historike, etnologjike, arkitektonike dhe si të tilla vlerësohen objekte më të vjetra se 100 vjet.

Veprimtaria komplekse e Qendrës Nacionale për Konservim ka për detyrë fillimisht vlerësimin e monumenteve të kulturës duke e identifikuar objektin, ndërsa më pas vijojnë  proceset tjera siç janë evidentimi, kategorizimi, rikategorizimi, restaurimi dhe koservimi, i trashigimisë kulturore.