Sahat kulla

E ndërtuar në këndin qendror të qytetit të Gostivarit. Sahat Kulla ofron një pamje të mrekullueshme të arkitekturës osmane, gjithashtu ky monument kulturor historik  paraqitet edhe si simbol I qytetit të Gostivarit. Me karakteristikat e veta arkitektonike, tipologjike dhe stilistike fiton një vlerë të veçantë historike. Ky objekt u ka rezistuar trazirave të ndryshme  kohore duke arritur të ruajë të gjitha format autentike të ndërtimit.

Sa i përket kohës së ndërtimit të Kullës së Sahatit, për këtë flet Mehmed Zeki Ibrahimi në Gazetën El HILAL në tetor të vitit 1988, i cili thotë se elementet arkitektonike dhe stilistike i takojnë shekullit XVII. Gjatë renovimit të objektit që është bërë në vitin 1834, para hyrjes së derës është vënë një pllakë  me një mbishkrim me alfabetin osman, në të cilën shkruan se donatori i Kullës së Sahatit është Ismail Aga  djali i  Haxhi Jusuf Agës.

Në kohën kur është ndërtuar Kulla e Sahatit, të gjitha objektet e qytetit ishin më të ulta, kështuqë Kulla paraqiteshte si dominante  me  qetësinë dhe siluetën e saj gjithashtu edhe si faktor organizues i qytetit.

Kulla e Sahatit të Gostivarit, në fillim ka pasur vetëm orën mekanike dhe këmbanën që me tingujt e saj ka shënuar orët. Sipas burimeve gojore të gostivarasve më të moshuar, Sahat Kulla, në veçori  konstruksioni I drurit të saj është djegur në kohën e Luftës së Pare Botërore. Sipas një fotografie që është ruajtur nga vet qytetarët e Gostivarit, që nga egzistimi I saj i mëparshëm kanë ngelur vetëm gurët e zhveshur të mureve të Kullës. Gjatë rekonstruimit që është bërë në vitin 1986, nga enti për mrojtjen trashëgimisë kulturore, janë bërë ndryshime në radhitjen e komponentëve për çka autori Mehmed Zeki Ibrahimi ka vërejtjet e veta pasi është bërë një gërshetim i elementeve të  arkitekturës bizantino – islame.

Përshkrimi i kullës

Pjesa bazore e Kullës së Sahatit paraqitet në formë të katrorit me dimensione 5,60m x 5,60m, e ndërtuar prej gurit të përpunuar, me fuga të lidhura me llaç gëlqerorë. Katër skajet e kullës janë të ndërtuara me gurë gëlqerorë që ndikojnë si në stabilitetin ashtu edhe në pamjen estetike të objektit. Në anën jugperendimore gjendet dera hyrëse e Kullës së Sahatit,  kurse nga një hapësirë e vogël në pjesën e mesme janë vendosur shkallët prej druri, që mundësojnë kalimin në gjashtë nivele të objektit. Për ndriçimin e hapësirës është vendosur nga një dritare në çdo etazh të dytë të Kullës.

Forma katëranësore e kullës që ka lartësi prej 6.8m,  transformohet në trup  tetëkëndore që arrin lartësinë prej 13,70 m, ku mbaron me një kurorë të vogël të thjeshtë e veshur me kallaj bakri. Mbi prizmen tetëkëndore të gurit është ndërtuar një tjetër prizëm tetëkëndore prej druri, ku ka qëndruar ora mekanike. Pjesa ku bashkohet kontruksioni i gurit dhe i drurit, ndahen me bordure. Tetë shtyllat dhe çatia piramidale formojnë çardakun e vogël, gjithashtu në mes të çatisë është ngritur një tambur i hapur dhe i vogël me tetë shtylla të drurit në të cilën ndodhet këmbana e orës. Pjesa e drurit të Kullës së Sahatit është mbuluar me rekonstruimin që është bërë në vitin 1986, me të cilën ka arritur të ruajë pamjen e jashtme të vjetër.

Materijalet e shfrytëzuara për ndërtimin e këtij objekti në mënyrë precize e ndajnë Kullën në dy pjesë, të cilat bukur ambijentohen me sipërfaqen përreth, në atë mënyrë potencohet madhështia e  saj arkitektonike, kulturore .

Me rekonstruimin e fundit që është bërë nga ana e qendrës nacionale  për Konservim në Gostivar, Kulla e Sahatit fitoi një trajtim të ri me çka i mundësoi objektit sërish të ringjallet  dhe të jetë qendër e ngjarjeve kulturore në qytet.