MEDRESEJA

Medreseja gjendet në pjesën qendrore të qytetit të Gostivarit, në afërsinë e saj gjendet xhamia e sahatit, lokalet e bashkësisë fetare islame, shadërvani dhe porta hyrëse.Të gjitha këto formojnë një kompleks karakteristik që pjesërisht i takojnë arkitekturës osmane.

Elementet arkitektonike dhe stilistike tregojnë se objekti është dominues që nga shekulli XVII dhe përfaqëson një vepër monumentale të arkitekturës osmane.Kjo medrese merret edhe si shkolla e parë në qytetin e Gostivarit, gjithashtu ka funksionuar edhe si qendër administrative.Pas prishjes së xhamisë në qendër të qytetit 1952, këshilli administrativ dhe lokalet e myftinisë së bashkësisë fetare islame të Gostivarit transferohen në objektin e medresesë.

Medreseja në vitet e para ka funksionuar si mektep, e cila në shkallën e arsimit fetar islam i korrespodon arsimit fillor, që në atë kohë kanë mësuar vetëm gjinia mashkullore, mësimi është ligjeruar nga hoxhallarët që kanë qenë të autorizuar dhe për ligjërimin e lëndëve të tjera.Programi arsimor i mektepit në vitet e mëvonshme, përcaktoi një metodë progresiste në shumë lëndë të tjera dhe medreseja fitoi statusin e shkollës së mesme, ku aktualisht funksionojnë vetëm paralelet e gjinisë femërore.

Prej themelimit të saj e deri më sot , nuk ka pushuar së funksionuari, gjithmonë ka shërbyer si një katalizator i krijimit të lidhjeve ndërmjet popullit, udhëheqësve fetarë dhe institucioneve të arsimit dhe formimit profesional. Gjithmonë i është përgjigjur aktivisht nevojave për ndryshimin e shoqërisë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin social dhe arsimor të qytetit të Gostivarit.

PËRSHKRIMI I OBJEKTIT

Medreseja në bazament është o drejtkëndor i organizuar vetëm me përdhesen, e mbuluar me çatinë me katër strehë të potencuara, kurse në fasadën ballore në anën lindore dhe qendrore të saj , paraqiten dy çati në formë të trekëndëshit.

Në formësimin arkitektonik të fasadës së objektit, të dukshme janë ndikimet e stileve klasike të arkitekturës osmane shekullit të XVII. Elementet zbukurese të fasadës nuk janë shumë të dukshme, por mund ti hasim në të dy anët këndore dhe në mes të shtyllave dhe dritareve. Dritaret e vendosura në fasadën kryesore, që pjesërisht i takojnë kohës së ndërtimit, janë në formë të drejtëkëndëshit me fund gjysmërrethor me dy krahë. Elementet dekorative rreth kornizave të dritareve dhe shiriti i hollë i cilli shënon linjën horizontale, janë të përpunuara me llaç.

Në tërë gjërësinë e medreses gjendet Tremja(hajati), pjesërisht i hapur dhe i përbërë prej dy shtyllave dhe tre harqeve, i mbuluar me çatinë në formë të trekëndëshit. Tremja (hajati) funksionon si lidhje komunikimi për në brendësi të medreses. Hyrja për në medrese është nëpërmjet shkallëve të punuara me pllaka mermeri, të vendosura në këndin e majtë dhe të djathë të medreses dhe dy dyerve të punuara në formë të thjeshtë. Organizimi I hapësirës së brendshme është I ndarë në mënyrë të veçantë që ndihmon funksionimin e saj, në të gjenden, hapësira për mësimdhënie, qendra administrative dhe hapësira për pushim, të gjitha këto të vendosura në pjesën e përparme të objektit në fasadën kryeore.

Veçanti e objektit është ruajtja e gjendjes autentike, integriteti dhe koha relative prej tre shekujsh. Përkundër intervenimeve të kryera në periudha të ndryshme kohore medreseja ka ruajtur formën e saj autentike ndërtimore.Me konservimin e fundit të realizuar nga Qendra nacionale për konservim në Gostivar është bërë rikonstruimi i çatisë dhe fasadës së jashtme, me çka objekti fiton një trajtim të ri.